Gjetja e nuancës së duhur të pudrës së lëngët që të përshtatet me nëntenin e lëkurës tuaj nuk është shumë e lehtë. Dhe sipas Jamie Greenberg, një artist grimi, shumica nuk e aplikojnë nuancën e duhur. Shpesh pudrat e lëngëta dhe korrektorët ju shtyjnë të zgjidhni një nuancë në bazë të nëntenit tuaj, veçanërisht kur bëni blerje online. Por është akoma më problem nëse nuk e dini se çfarë nënteni keni.
Nënteni është ngjyra që është nën lëkurë, dhe ndërsa teni i lëkurës mund të ndryshojë (me kalimin e kohës, me ekspozimin në diell, etj.), nënteni nuk ndryshon. Pudrat e lëngëta zakonisht rekomandohen për njërën nga tre llojet e nënteneve: "i ftohtë", "neutral" ose "i ngrohtë". Megjithatë, është e mundur të biesh diku në mes (mund të jesh "neutral-i ngrohtë", për shembull). Për ta kuptuar më detajisht, Greenberg e shpjegon se si të kuptoni nëntenin tuaj. Vini re, të njëjtat parime zbatohen për të gjitha nuancat e lëkurës, nga shumë e hapur në të errët. Dhe mbani mend, nëse keni vështirësi për ta kuptuar, gjithmonë mund t'i kërkoni një grimieri profesionist për ndihmë.
Ata me nuanca të ftohta do të vërejnë se lëkura e tyre ka një nuancë rozë, të kuqe ose të kaltër.
Ju e keni nëntenin "e ftohtë" nëse:
- Nëse venat në kyçin tuaj janë të kaltër ose vjollcë;
- Nëse bizhuteritë prej argjendi duken më bukur në lëkurën tuaj se ari;
- Kur shikoni lëkurën tuaj në diell, ajo duket si në të kaltër.
Nëse keni nuanca neutrale, lëkura juaj nuk është as rozë/e kuqe/kaltër, as e verdhë/e artë/pjeshkë, por diku në mes.
Ju e keni nëntenin "neutral" nëse:
- Venat në kyçin tuaj janë të kaltër apo të gjelbër;
- Edhe bizhuteritë prej ari edhe prej argjendi duken bukur në lëkurën tuaj;
- Kur shikoni lëkurën tuaj në diell, ajo duket si në të gjelbër.
Ata me nuanca të ngrohta do të vërejnë se lëkura e tyre ka një nuancë në të verdhë, ari ose pjeshke.
Ju e keni nëntenin "e ngrohtë" nëse:
- Venat në kyçin tuaj janë paksa jeshile ose ulliri;
- Bizhuteritë prej ari duken më bukur në lëkurën tuaj se argjendi;
- Kur shikoni lëkurën tuaj në diell, ajo duket si në të verdhë.
Tre këshilla të tjera për të gjetur nuancën e duhur të pudrës së lëngët
Pra, tani ju e dini nëntenin tuaj, nëse po provoni pudër të lëngët në një dyqan, këtu janë tre këshillat e Greenberg për t'ju ndihmuar të gjeni atë të duhurën.
- Së pari përgatisni lëkurën
Para se të bëni ndonjë gjë, pastroni dhe hidratoni lëkurën tuaj. “Fshini qelizat e vdekura të lëkurës dhe përgatisni atë në mënyrë që të mbajë ngjyrën mirë”, thotë Greenberg. "Nëse lëkura juaj është e djersitur ose nuk është plotësisht e pastër, ngjyra nuk do të jetë e saktë!"
- Testoni në ndriçim më të mirë
Sigurohuni që ta provoni pudrën në një ndriçim të mirë. Është gjithmonë një ide e mirë që fillimisht ta provoni atë në një vend dhe më pas të shkoni diku tjetër me ndriçim tjetër për të parë nëse përputhet ende me lëkurën tuaj. Dhe sigurohuni që të keni veshur të bardhë, pasi ngjyrat e tjera mund të ndryshojnë tenin tuaj. Greenberg paralajmëron se nuk duhet të përpiqeni kurrë të korrigjoni nëntenin me pudër të lëngët. “Më së miri është ta përputhni me nëntenin tuaj, dhe më pas nëse ju duket nuanca e zbehtë, gjithmonë mund të shtoni bronzues ose shkëlqyes,” thotë ajo.
- Përputhni ngjyrën që shihni më shumë
Janë tre pjesë të trupit për të cilat duhet të mendoni: fytyra, qafa dhe gjoksi – dhe Greenberg thekson se të gjitha këto mund të ndryshojnë. “Gjëja më e natyrshme do të ishte që nuanca të përputhej me qafën, por për shkak të ekspozimit në diell dhe elementeve të tjera, fytyra dhe gjoksi shpesh janë më të errët se qafa”, thotë ajo. Për të barazuar gjërat, Greenberg sugjeron të zgjidhni një produkt që përputhet me ngjyrën që shihni më shumë, dhe më pas të aplikoni pudrën në fytyrë dhe qafë në mënyrë që të merrni një ngjyrë të barabartë.
Burimi: Beautylish.com